
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve:
-ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Ardian Kastrati., 56 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 7 muaj e 18 ditë burgim, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grup i strukturuar kriminal”;
-arrestuan shtetasit V. T., 30 vjeç, E. V., 30 vjeç, A. P., 29 vjeç, të tre banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin lëviznin, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 3 celularë. Gjithashtu, shtetasi V. T. ishte duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. K., 42 vjeç, dhe E. A., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë u gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-arrestuan shtetasin N. Rr., banues në fshatin Bleran, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. L., 66 vjeç, pasi ka bërë kallëzim shtetasi M. S., 34 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, se ky shtetas i ka shkatërruar me mjet (fadromë) gjysmën e një objekti në pronësi të tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar një shkop metalik me palosje, si ato të forcave speciale policore, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Theth referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi dje shtetasi D. H., 35 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, ka kallëzuar se i ishte shembur një mur mbajtës në pronën e tij, në lagjen Gjeçaj, Theth. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se muri mbajtës është shembur si pasojë e rrëshqitjes së masivit të dheut.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. P., 38 vjeç, banues në fshatin Dushaj, për veprën penale “Keqpërdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, pasi ka bërë kallëzim shtetasja J. M., 29 vjeçe, banuese në fshatin Barbullush, se ky shtetas e ka shqetësuar nëpërmjet telefonit;
-K. S., 68 vjeç, banues në fshatin Gogsh, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi kishte rrethuar me rrjetë teli një tokë, për të cilën pretendonte se ishte në pronësi të tij;
-A. P., 56 vjeç, për veprën penale “Kanosja”, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit një 44-vjeçare, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






