Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Seria”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave.

Gjatë operacionit sekuestrohen kartëmonedha euro dhe lekë të dyshuara të falsifikuara.

Gjithashtu sekuestrohet dhe lëndë plasëse tritol.

Vihet në pranga autori i dyshuar.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave, si rezultat i një hetimi disamujor, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Seria”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

Kujtim Cumraku, 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me të cilin po qarkullonte ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.600 euro dhe 710.000 lekë të rinj të dyshuar të falsifikuar, si dhe një sasi lekësh të pafalsifikuar.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në dyqanin që ky shtetas kishte marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde plasëse tritol.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse”.