Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur dhe dokumentuar vrasjen e shtetasit Endri Mustafa në 15 maj të këtij viti në lagjen “Guerrile”. Policia bën të ditur se ka shpallur në kërkim autorin kryesor të kësaj vrasjeje, shtetasin Ibrahim Lici ndërsa ka arrestuar në flagrancë dhe bashkëpunëtorin kryesor të dyshuar për vrasjen si dhe ka vënë në pranga një tjetër shtetas që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen e rëndë.

Policia bën të ditur se në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët të Hetimit dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Endri Mustafa.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur Ergys Malja, 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Endri Mustafen. Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit Ibrahim Lici dhe në ngarkim të shtetasit Ergys Malja, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të shtetasit Edison Arazi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.