Përfaqësues të pushteti lokal në Shkodër kanë uruar festën e Pashkës të gjithë besimtarëe të krishterë. Majlinda Angoni, prefekte e qarkut Shkodër urimin e saj e përqëndron te kohët e vështira të krijuara nga pandemia.

Për të gjithë besimtarët e krishterë, të Qarkut Shkodër;
Në këto kohë të vështira, le të mbushë kjo ditë ringjallje shtëpitë tona me më shumë shpresë, gëzim dhe solidaritet.
Si në çdo kremtë tjetër, edhe në këtë ditë të veçantë lumturia e ditëve festive le të jetë pjesë e pandashme e çdo dite për secilin nga ju.

Ndërsa, Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër uroi besimtarët katolikë duke thënë se kjo festë do të jetë pikënisje e përmbushjes së aspiratave si komb. Paqja, harmonia, mirëkuptimi, zhvillimi, besimi, mirësia e shpresa, qofshin bashkëudhëtaret tonë në familje dhe në komunitetet ku jetojmë. Shpresoj e uroj që kjo festë e ringjalljes së jetës, e fitores të së mirës mbi të keqen, të jetë pikënisje e përmbushjes së aspiratave tona si komb. Gëzuar të gjithëve!

Festën e Pashkës e kanë uruar edhe përfaqësuesit politik në Shkodër. Përmes postimeve në rrjetin social “Facebook” drejtuesi politik i PS Ilir Beqaj shprehet se kjo festë është simbol i shpresës dhe veprave të mira.
“Gëzuar e për shumë vjet Pashkët, festën e Ringjalljes, festën e jetës dhe të dritës! Pashkët janë simbol i shpresës dhe veprave të mira, por dhe ditë reflektimi për vlerën e vërtetë që kanë familja, të afërmit, fqinjët dhe të pamundurit dhe të jemi më pranë se kurdoherë atyre. Gëzuar!”

Ndërkohë përmes një videoje, drejtuesi politik i PD për qarkun Shkodër Helidon Bushati ka përcjellë urimin e tij për të gjithë besimtarët e krishterë duke thënë se sot kemi nevojë për njeri-tjetrin dhe asnjëherë më shumë sesa sot e mira duhet të triumfojë mbi të keqen.
Edhe deputeti i Partisë Social Demokrate Tom Doshi ka uruar festën e Pashkës përmes një postimi në “Facebook”.

“Dita e Pashkës është dita e shpreses, e ngadhenjimit mbi vdekjen, vuajtjen, persekutimin dhe mundimet! Krishti u ringjall për të na mesuar se e mira e mund të keqen, se e drejta triumfon mbi padrejtesine, se dashuria e mund urrejtjen! Të gjithe ne kemi nevoje per këtë mesazh, për këtë pranvere besimi! Pandemia dhe shume probleme të tjera ekonomike e politike kane goditur vendin tone por me besimin në Zot, duke shtrenguar duart me njeri tjetrin, duke kerkuar bashkimin dhe jo ndarjen ne mund ta bëjmë më të mire Shqiperine, jeten tone dhe njeri tjetrin! Per shumë mot Pashken e me shendet!”.