Për herë të parë prefektura e qarkut Shkodër zhvilloi një takim për hartimin e një strategjie për minimizimin e qenve endacak në qytetin e Shkodrës kryesisht. Qentë endacak janë kthyer një shqetësim për qytetarët por edhe për turistët. Prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni në praninë e përfaqësuesve të institucioneve tregoi masat që duhen ndërmarrë për minimizimin e qenve endacak në Shkodër.

Nënkryetari i bashkisë Shkodër Tonin Deda u shpreh se bashkia Shkodër është e vetmja në Shqipëri që po bën identifikimin elektronik të qenve me pronar ndërsa tha se krjimi i strehe për kafshët endacake është e pamundur për shkak të kostos së lartë.

Kryetarët e bashkive Vau Dejës dhe Malësi e Madhe u shprehën se deri më tani nuk ka patur një buxhet për qentë endacak por do parashikohet vitin e ardhshëm.

Zëvendës drejtori i policisë vendore të Shkodrës Dashamir Spaho tha se policia e shtetit do jetë e gatshme duke i lënë porosi patrullave për të ndaluar furgonët që sjellin qentë endacak nga bashkitë e tjera që është edhe shqetësimi kryesor.

Oli Pero e cila prej 9 vitesh është pjesë e organizatës vullnetare “Animals Need’s Me” në Shkodër tha se nevojitet një strategji kombëtare për zgjidhjen e problemit të qenve endacak.

Në fund të këtij takimi për qentë endacak është firmosur një marrëveshje e përbashkët me gjitha institucionet të cilët morën përsipër angazhimin e tyre për zgjidhjen e këtij problem.