Presidenti Ilir Meta pasditen e 19 majit zhvilloi një vizitë në Myftininë e Shkodrës teksa u prit nga myftiu Imam Muhamed Sytari që përkoi me natën e madhe të Kadrit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Fillimisht Presidenti Meta zhvilloi një bisedë me Imam Muhamed Sytari në mjediset e Myftinisë së Shkodrës ndërsa kreu i shtetit mori si dhuratë një fotografi të Xhamisë së Plumbit, një simbol i besimit si dhe një monument kulture me vlera të mëdha historike për Shqipërinë.

Vizita e Presidentit Meta vijoi në Xhaminë e Parrucës në qendër të qytetit ndërsa u njoh me historinë e kësaj xhamie se si është rrënuar dhe ndërtuar disa herë. Kreu i shtetit duke dalë nga aty u shpreh se tek të gjithë duhet të mbizotërojë paqja dhe durimi.

Duke mos dashur të përfshihet në deklarata politike në këtë vizitë të tij, i pyetur për çështjen e teatrit kombëtar Presidenti Meta tha vetëm se edhe teatri është i shenjtë, një mesazh i qartë i qëndrimeve të kreut të shtetit kundër prishjes që iu bë godinës së teatrit kombëtar.

Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari përveçse falenderoi Presidentin Meta për këtë vizitë shpreson që për shqiptarët të ketë ditë më të mira

Presidenti Meta pas këtyre vizitave mbylli qëndrimin e tij në Shkodër i ftuar në një iftar bashkë me myftiun e Shkodrës Imam Muhamed Sytari.