
Në Shkodër, RadioKlub Shkodra në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit ka zhvilluar një aktivitet prezantues për sportin e radioamatorizmit, në kuadër të Ditës Botërore të Radioamatorëve, me qëllim njohjen më të gjerë të tij në publik.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit, z. Florian Gjonej, tregon se radioamatorizmi mundëson komunikim edhe kur të gjitha sistemet e tjera bien e nuk funksionojnë, përmes antenave dhe pajisjeve të radioamatorëve të cilat nuk kanë varësi nga sistemet e tjera.
Ai ka treguar se komunikimet në distancën më të largët, kanë qënë lidhjet me radioamatorë në Zelandën e Re në mbi 18 mijë kilometra distancë, si dhe një rast konkret ndihme në Theth, ku komunikimi përmes operatorëve radioamatorë ka kontribuar në koordinimin e shpejtë të ndihmës për të plagosurit.
Gjonej u shpreh se sporti i radioamatorizmit nuk është ende shumë i njohur në Shqipëri nga gjeneratat e reja, ndaj kjo nismë në Shkodër synon të rrisë interesin e qytetarëve për këtë sport, duke e prezantuar më afër publikut dhe duke nxitur edhe pjesëmarrjen e të rinjve.






