Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Illegality”, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë nje 55-vjeçar banues në fshatin Berdicë Shkodër. Ai është arrestuar për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore.
Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.
Gjithashtu, në njoftimin e policisë thuhet se është shpallur në kërkim edhe drejtori I AKU Shkodër për shpërdorim detyre, por sipas informacioneve të marra nga Star Plus, Gjergj Sokoli, drejtori I AKU Shkodër është paraqitur në praninë e avokatit të tij ne ambjentet e komisariatit të Policisë Shkodër për të dhënë deklaratën dhe momentalisht ndodhet në banesën e tij.
Po sipas njoftimit të policisë, është proceduar penalisht edhe një 55 vjeçar, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, nuk ka evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.