Një grup të rinjsh në qytetin e Shkodrës organizuan një protestë të heshtur në shenjë revolte pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, ngjarje e cila ndodhi në Tiranë.

Të rinjtë por edhe disa qytetarë të tjerë thyen orën policore 22:00 duke dalë në qendër të qytetit dhe duke protestuar në heshtje kundër policisë së shtetit pas vrasjes së të riut në kryeqytet. Protestuesit në vend të fjalëve zgjodhën të ndezin disa qirinj si solidarizim me familjen e viktimës.

Më pas protestuesit marshuan nga fillimi i pedonales “Kolë Idromeno” deri tek prefektura e qarkut Shkodër me qirinjtë e ndezur duke i vendosur më pas tek dera e prefekturës si një revolt pas asaj ngjarje të rëndë të ndodhur në Tiranë.

Klodian Rasha tentoi t’i largohej efektivit të policisë Nevolda Hajdaraj që po e ndiqte nga pas. Në ndjekie e sipër efektivi i policisë ka dyshuar se i riu ka patur një send të fortë që i është dukur si pistoletë dhe në këtë mënyrë i gjendur në panik e ka qëlluar duke bërë që Rasha të humb jetën nga plumbat.

Pas vrasjes policia arrestoi efektivin Nevaldo Hajdaraj i cili është i dyshuar për veprën penale të tejkalimit të detyrës së tij duke qenë se nuk ka patur të drejtë që të qëllojë. Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje ndërsa familja e Klodian Rashës dhe shokët e tij kanë mohuar se viktima ka patur një armë duke thënë se nuk mbante armë kurrë dhe se kishte thyer orën policore për të blerë një paketë cigare.

Artikulli paraprakADEMI: AKPT MBAN TË BLLOKUARA PROCESIN E NDËRTIMEVE
Artikulli tjetërSHKODËR, PËRFSHIHEN NGA FLAKËT TRE LOKALE