Pavarësisht ndërgjegjësimit mbi rreziqet që drogat paraqesin tek individët dhe familjet, numri i përdoruesve vijon të jetë i lartë.

Në qytetin e Shkodrës nuk ka shifra të sakta të këtij numri, por shqetësues mbetet fakti se në mes të qytetit, fare pranë gjimnazit “28 Nëntori” gjen gjurmë të përdorimit të drogërave të forta. Shiringat e përdorura për injektim janë pak nga ajo që shihet kudo në lulishten pranë gjimnazit. Janë vetë qytetarët që kanë raportuar në Star Plus një situatë të tillë, e cila sipas tyre vijon prej vitesh.

Telefonatat e shumta të qytetarëve kanë shpjeguar një fenomen që përsëritet çdo pasdite. Të rinj të shumtë kanë zgjedhur pikërisht këtë pjesë të pandriçuar në qytet për t’iu shmangur kontrolleve të mundshme. Policia e Rendit patrullon çdo natë në zona të ndryshme të pedonales “Kolë Idromeno”, por as kjo nuk ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Ndriçimi i kësaj zone do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për të evituar përdorimin masiv të lëndëve narkotike në zonë. Një studim i 3 viteve më parë nga Instituti i Shëndetit Publik, tregon se në Shqipëri janë rreth 60 mijë përdorues të drogës, një shifër kjo tejet e lartë në raport me numrin e popullsisë.

Artikulli paraprakN.EKONOMIKE, LIGJI I RI AKOMA PA ZBATIM
Artikulli tjetërKOSOVA DO TË LUAJË NË “LORO BORIÇI”