Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime në Shkodër, Vau Dejës dhe në Koplik të Malësisë së Madhe duke marrë pjesë në investime apo edhe procesin e vaksinimit. Në Shkodër kreu i qeverisë fillimisht u ndal për një kafe të mjediset e Piaca Park në qendër të qytetit bashkë me disa prej kandidatëve për deputet të PS për qarkun Shkodër.

Më pas kreu i qeverisë mori pjesë në procesin e vaksinimit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndërsa në dalje theksoi se deri në fillim të sezonit turistik synohet që të vaksinohen 500 mijë shtetas ndërsa i pyetur për akuzat e opozitës tha se nuk i intereson çfarë thotë opozita.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se deri tani janë bërë mbi 120 mijë vaksinime.

Më përpara kryeministri Rama ishte edhe në qendrën e vaksinimit në Vau Dejës.

Më pas kreu i qeverisë vijoi takimet e tjera sipas axhendës së tij në Shkodër dhe Koplik.