Forcat RENEA kanë zbarkuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës në kuadër të aksioneve që po zhvillohen në të gjithë Shqipërinë. Efektivët e RENEA-s kanë zhvilluar kontrolle në lokale të ndryshme por edhe mjedise të tjera të dyshuara për element kriminal. Në fakt nga ky aksion i RENEA-s nuk është se ka një rezultat konkret duke rezultuar kontrolle rutinë ndërsa pritej goditja e elementëve të rrezikshëm kriminal por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Më shumë kontrollet kanë qenë në lokale të zakonshme kur po luhej ndeshja e futbollit mes Francës dhe Gjermanisë duke prishur kështu qetësinë e tifozëve të futbollit. Kontrollet e RENEA-s në këto lokale të zakonshme kanë ngjallur një lloj reagimi masiv në rrjetet sociale duke ironizuar armët e drejtuara qytetarëve të thjeshtë që po shijonin përballjen e kampionatit europian.

Në Shkodër dhe Fier mbrëmjen e kaluar forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në 18 lokale dhe 21 mjedise të ndryshme në të dyja qytetet. Nga kontrollet janë shoqëruar për verifikim 23 persona, të identifikuar si persona me precedent kriminal apo me tendencë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Një ditë më parë, RENEA zhvilloi kontrolle edhe në qytetin e Vlorës, ku arrestoi shtetasin Edison Begaj, i cili i shpëtoi një atentati më parë pak javë më parë. Kontrollet e forcave RENEA pritet që të vijojnë edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.