
Grupi i Rithemelimit i PD në qarkun Shkodër do të përfshihet në zgjedhjet për kryetarin e PD ndërsa tashmë janë bërë zyrtare edhe listat me kandidatët përkatës. Kështu në bashkinë Shkodër në listën zyrtare janë emrat e 9 kandidatëve prej të cilëve deri më tani një prej tyre është tërhequr duke mbetur 8 të tillë. Kandidati Ted Kopliku ka vendosur që të dorëhiqet. Kopiku vlerëson propozimin e emrit të tij si kandidat por nga ana tjetër shkruan se “pavarësisht ideve, apo një projekti për të bashkuar demokratët, koha është e shkurter për t’i bindur, për të më besuar votën. I bindur që në këtë mënyrë i shërbej më mirë garës, duke i dhënë kohë vetes për të qënë më i dobishëm në një të ardhme të afërt, vendos të tërhiqem”, shkruan kandidati Kopliku.
Ndërkohë tetë kandidatët e tjerë janë në garë mes tyre në zgjedhjet e 25 prillit për kreun e PD Shkodër. Kështu kandidat është Arben Lushaj, aktualisht drejtor i shërbimit pyjor në bashkinë Shkodër. Në një reagim të tij, Lushaj duke falenderuar për propozimin kërkon mbështetjen në këtë proces duke deklaruar se nëse do të zgjidhem do të jem kryetari i të gjithë dhe jo i një grupi dhe se do drejtojë për interesin e qytetarëve dhe jo për interesa personale apo konjukturash. Një tjetër kandidat është Ardit Qylybyli, aktualisht nënkryetar i bashkisë Shkodër i cili po ashtu kërkon votëbesimin e demokratëve. Pjesë e garës është edhe Vildana Gushta, e cila mban postin e drejtoreshës së gjendjes civile në bashkinë Shkodër. Gushta shkruan se kërkon mbështetjen e demokratëve si një bijë e këtij qyteti, e cila nuk ka bërë asnjë herë kompromis me të keqen në kurriz të Shkodrës dhe se PD është e të gjithëve dhe se nuk ka vend as kohë për diferencime dhe se lufta e vërtetë është kundër Edi Ramës. Një tjetër kandidat është Arian Peraj, pjesë e sindikatës së arsimit në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë për Shkodrën. Peraj kërkon votën e gjithë demokratëve që nuk e braktisën asnjëherë PD në këto 31 vite me qëllimin për krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi mes të barabartëve me antarësinë dhe një kontribut për ta kthyer PD-në në pushtet duke mos qenë peng i të shkuarës por as të sotmes dhe se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e aleancave perverse me grupime të ndryshme. Në listën e kandidatëve nga të rinjtë është edhe Elvis Deda pjesë e Forumit Rinor të PD. Deda thotë se ka vendosur që ta pranojë kandidimin për t’i ofruar një alternativë ndryshe demokratëve shkodran. Ndërkohë zgjedhjet për kryetarin e PD nga grupi i rithemelimit do të zhvillohen edhe në Malësinë e Madhe teksa kandidojnë 3 emra, Ferdi Sterkaj, ish kryetar i komunës Shkrel, sot njësi administrative. Kandidati i dytë është Isa Rama, një tjetër emër i njohur ish kryetar i komunës Qendër, sot njësi administrative dhe Mimoza Rexhvelaj, arsimtare me profesion dhe një aktiviste e PD prej vitesh.
Në bashkinë Vau Dejës kandidojnë Bernard Ndreca, ish administrator i njësisë Hajmel dhe Mersim Zagani, biznesmen. Ndërkohë në bashkinë Pukë ky proces ka përfunduar dhe fitues është shpallur kandidati Demir Hyseni dhe në bashkinë Fushë Arrës ka fituar Hilë Kola. Në Shkodër dhe Malësinë e Madhe pritet një garë e fortë mes kandidatëve të rithemelimit të PD.