Në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër janë shtuar dy shërbime të reja, kabineti dentar dhe fizioterapia, të cilat do t’u ofrojnë rezidentëve kujdes shëndetësor më të specializuar. Drejtori i institucionit, Fatjon Hoxha, u shpreh se këto shërbime janë tejet të rëndësishme për banorët, pasi plotësojnë nevoja thelbësore dhe rrisin cilësinë e jetesës brenda qendrës.
Pajisjet e kabinetit dentar janë dhuruar nga stomatologu Ormir Bushati, i cili theksoi se motivimi kryesor ishte dëshira për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve.
Në inaugurim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Shërbimi Social Shtetëror, Reme Xholi, e cila e cilësoi këtë investim një model pozitiv bashkëpunimi në funksion të mirëqenies sociale. Në ceremoni mori pjesë gjithashtu edhe kryetari i Qarku Shkodër, Edmond Ndou.
Ky zhvillim konsiderohet një hap pozitiv drejt përmirësimit të shërbimeve sociale dhe shëndetësore për moshën e tretë në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër.

Artikulli paraprakKOSOVA FESTON 18 VJETORIN E PAVARËSISË
Artikulli tjetër“LULISHTJA E PAZARIT” E PREFERUARA E SHKODRANËVE