
Si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, u finalizua operacioni policor i koduar “Sezoni”.
Nga hetimet ka rezultuar se një grup shtetasish, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe disamujore, dyshohet se kanë ushtruar veprimtarinë kriminale të shitjes, shpërndarjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:
– G. B., 20 vjeç, banues në fshatin Ktosh;
– D. R., 20 vjeç, banues në Koplik;
– K. P., 22 vjeç, banues në fshatin Lohë e Poshtme.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 34 vjeç.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 5 aparate celularë. Në kuadër të të njëjtit procedim penal, gjatë zhvillimit të hetimeve në muajt qershor dhe korrik 2026, janë arrestuar edhe 4 shtetas të tjerë.
Gjithashtu shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 18 vjeç, banues në Pulaj-Plazh, Velipojë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij u gjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza.
Materialet procedurale për të dy rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






