Moti i përkeqësuar dhe reshjet e dendura të shiut ditët e fundit kanë bërë që hidrocentralet të hapin portat për shkarkimin e ujit duke bërë që disa biznese në aksin Shkodër-Koplik, në afërsi të liqenit të Shkodrës të përmbyten. Ky është Gëzim Alibali i cili prej vitesh merret me rritjen e shpendëve. Ai thotë se se të paktën 500 pula kanë ngordhur nga uji që ka vërshuar me shpejtësi brenda 5-6 orëve duke shkuar në 1 metër e gjysëm, gjë e cila nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në kaq pak orë, madje as në përmbytjet masive të 2010-ës thotë Alibali. Dëmi ekonomik është i konsiderueshëm.

Alibali thotë se janë edhe biznese të tjera që janë përmbytur.

Vëllai i Gëzimit dhe një komshi aty afër kanë shkuar me shpejtësi mbrëmjen e 30 dhjetorit për të nxjerrë shpendët por është dashur që të largohen sepse vërshimi i ujit me shpejtësi ka rrëzikuar edhe vetë ata.

Apeli i Alibalit i cili ka një dëm ekonomik mbi 5 milion lekë të vjetër është që institucionet të lajmërojnë banorët për hapjen e portave të hidrocentraleve në mënyrë që të marrin masat e duhura.

Banorët dhe bizneset që janë në afërsi të liqenit të Shkodrës tashmë janë të frikësuar nga përmbytja dhe dëmi i madh ekonomik që mund t’u shkaktohet si në rastin e Gëzim Alibalit.