Blediana Nika është shkarkuar si drejtore e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër. Prej më shumë se një viti e gjysëm Nika qëndroi si drejtore e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër ndërsa në atë kohë zëvendësoi në atë post drejtorin e mëparshëm Kadri Ymeri. Nika erdhi në postin e drejtores të arsimit në Shkodër pas një konkursi që u zhvillua në rang kombëtar ndërsa në fund u shpall fituese për të drejtuar ZVA Shkodër.

Në vend të një dorëheqjeje siç ndodh zakonisht nga drejtorët të cilëve u kërkohet të lënë karriken, Nika ka vendosur që të mos e bëjë një veprim të tillë dhe ka pritur momentin derisa është shkarkuar duke mos pranuar që të largohet vetë. Prej disa kohësh përflitej se Nika mund të largohej nga ky post që mbante por pasi nuk është bindur për t’u dorëhequr kanë vendosur që ta shkarkojnë.

Më përpara Blediana Nika ka qenë drejtore e shkollës së mesme të Velipojës ndërsa për momentin nuk ka asnjë post në ZVA Shkodër apo edhe drejtorinë rajonale të arsimit që është e vendosur në Lezhë. Në vend të saj drejtore e Zyrës Arsimore në Shkodër është komanduar Sindis Kopliku e cila ka një eksperiencë disa vjeçare në radhët e arsimit parauniversitar ndërkohë që sëfundmi ka punuar pranë Zyrës së Punës në Shkodër.

Tashmë në radhët e drejtorëve të PS në Shkodër vijon që të ketë ndryshime pasi më përpara u largua drejtori i transportit rrugor, i Agjencisë së Kadastrës, drejtori Rajonal i Tatimeve. Në vazhdimësi pritet që të ketë edhe disa ndryshime të tjera në radhët e drejtorive rajonale të PS. Të gjitha këto ndryshime lidhen edhe me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ndërsa në radhët e PS Shkodër tashmë po krijohen pakënaqësi të mëdha ndërsa nuk kanë munguar as debatet që pritet të vijojnë edhe në mbledhjet e ardhshme që mund të kenë socialistët shkodran.

Artikulli paraprakSHKODËR, HISTORIA E XHAMAXHIUT MË TË VJETËR
Artikulli tjetërSPITALI SHKODËR, NDËRPRITEN OPERACIONET E PLANIFIKUARA