Shpërthimi i një bombule gazi është bërë sërish shkak i përfshirjes nga flakët të një banese në katin e dytë të një pallati në rrugën e Garucëve në qytetin e Shkodrës. Sipas të dhënave mësohet se shpërthimi ka ndodhur nga pakujdesia. Pas shpërthimit mësohet se flakët kanë përparuar shpejt. Menjëherë janë lajmëruar reparti zjarrëfikës në Shkodër të cilët kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes.

Nga ndërhyrja në kohë e zjarrëfikseve është bërë e mundur shuarja e zjarrit pa pasoja të mëdha përveç dëmeve materiale të mjediseve të brendshme të shtëpisë në një prej dhomave. Ndërkohë personi që ndodhej brenda banesës ka dalë me shpejtësi jashtë duke shpëtuar dhe duke bërë që të ketë vetëm dëme materiale.

Kjo nuk është hera e parë që nga pakujdesia e qytetarëve ndodhin ngjarje të tilla që në disa raste kanë përfunduar dhe me humbje jete. Disa herë efektivët zjarrëfikës kanë bërë thirrje për kujdesin kryesisht me bombolat e gazit të cilat vijojnë të jenë një rrezik nga përdorimi jo në mënyrën e duhur.