Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, në Shkodër është mbledhur Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, me fokus garantimin e sigurisë së nxënësve dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve. Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, drejtori i Policisë së Shkodrës, Dashamir Spaho, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe strukturave përgjegjëse.

Gjatë mbledhjes, kryebashkiaku Benet Beci u ndal te puna e bërë për lirimin dhe sistemimin e hapësirave në oborret e shkollave, me synim transformimin e tyre në mjedise më të sigurta dhe funksionale për nxënësit dhe mësuesit.

Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, vlerësoi punën e Bashkisë Shkodër për lirimin e hapësirave në shkolla, ndërsa kërkoi zbatimin e plotë të paketës së sigurisë. Sipas saj, zbatimi i masave të parashikuara në këtë paketë do të monitorohet dy herë në vit.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Shkodrës, Dashamir Spaho, deklaroi se siguria në shkolla mbetet prioritet për strukturat e policisë. Për nisjen e vitit të ri shkollor është hartuar një plan konkret masash, ku në fokus do të jetë edhe bashkëpunimi i ngushtë me oficerët e sigurisë në shkolla.

Bashkëpunimi mes Bashkisë Shkodër, Policisë, institucioneve arsimore dhe strukturave të tjera përgjegjëse synon rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave, si dhe parandalimin e problematikave që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVAU DEJËS, 180 FËMIJË PËRFITOJNË MJETE SHKOLLORE FALAS
Artikulli tjetërADMINISTRATIVJA ZHBLLOKOI PAGAT E MAGJISTRATËVE, IRONIZON RAMA: SIKUR TË KISHTE TË NJËJTIN STANDARD PËR HALLET E QYTETARËVE