Prej afro 4 muajsh në spitalin rajonal të Shkodrës është hapur për herë të parë shërbimi i trombolizës intravenoze. Në këto 4 muaj të para janë trajtuar 10 pacientë bën të ditur mjeku neurolog Gleni Halili duke i dhënë një shans të madh për t’i shpëtuar jetën të sëmurëve me ishemi cerebrale.

Pasojat që sjell ishemia cerebrale janë të rrezikshme për njeriun dhe sjellin shumë dëme ndaj pacientët duhet të paraqiten në spital sa më shpejt të jetë e mundur brenda 3 orëve të para.

Sëmundja e ishemisë cerebrale është tejet e përhapur sepse përveç të moshuarve 60 vjeç e sipër ka rritje rastesh edhe tek moshat më të reja 30 apo 40 vjeç.

Neurologu Halili thotë se spitali i Shkodrës është i dyti në vend që ka ofruar këtë shërbim pas QSUT-së në Tiranë.

Deri më tani për të sëmurët me ishemi cerebrale, një sëmundje e cila në pjesën më të madhe sjell pasoja fatale, pacientët nuk kanë patur një mundësi për t’u kuruar dhe me këtë shërbim të ri të trombolizës intravenoze në Shkodër është një shans i madh për të gjithë ata që mund të preken nëse shkojnë në kohën e duhur në spital.