Një projekt prej 70 milion eurosh i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH do të jetë në dispozicionin të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të bërë një strategji zhvillimi për bregun e liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe plazhin e Velipojës deri tek Rëra e Hedhur. Kjo strategji do të mundësohet nga kjo kompani greke e kontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Prezantimi i këtij projekti u bë nga përfaqësues të kompanisë greke në mjediset e hotel “Colosseo” me përfaqësues të bizneseve në fushën e turizmit dhe pushtetit vendor.

“Projekti ka 2 objektiva kryesor. E para është të sqaroj dhe ndërtoj një strategji të mirë për zhvillimin e metejshëm të sektorit të turizmit në rajon, si dhe për rritjen e atraksionit të tij jo vetëm në pjesën shqiptare, por duke u shtrirë në rajon. E dyta të gjenden saktësisht disa projekte të nevojshme në infrastrukturën rrugore dhe ujore në mënyrë që të krijohen kushte të favorshme për rritjen dhe terheqjen sa më shumë të zonës, në mënyrë që në të njëjtën kohë të përmirësohet jeta e banorëve këtu”.

Përfaqësuesit e bizneseve në fushën e turizmit treguan disa prej problematikave kryesore që nisin që nga infrastruktura, shërbimi apo edhe mungesa e konkurencës dhe probleme të tjera.

“Ne kemi shumë vite në fushën e turizmit. Ne duam që të promovohen gjithë këto shërbime dhe biznese dhe gjithçka e bukur që ne kemi rreth e rrotull në Shkodër. Ne duhet ta dashurojmë vendin fillimisht dhe duhet të përmirësohemi në pritjen e turistëve dhe të mënyrës së promovimit të turizmit jo vetëm përmes marketingut por edhe se si ne i bëjmë njerëzit që të ndihen mirë kur vijnë këtu. Ne duhet të gjithë që të bëhemi më profesionistë jo ta shohim vetëm si çështje pune apo të pagesave që bëjnë turistët por ti japim atyre pak nga kultura e vendit tonë. Turizmi në Shqipëri realisht ka nisur nga asgjëja dhe më pas rrugës jemi përmirësuar dhe sot jemi këtu me një nivel më të lartë edhe pse gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Trajnimi do të jetë i mirë për të gjithë ne, na bën më mendje hapur dhe na bën të jemi të ndryshëm por pa humbur kulturën tonë”.

Drejtori i turizmit në bashkinë Shkodër Gentian Mema u shpreh se dy janë problemet kryesore, e para mungesa e eksperiencës e Shqipërisë në fushën e turizmit krahasuar me vendet e rajoni por edhe mungesa e një bashkëpunimi mes vetë bizneseve të turizmit për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare.

Nga strategjia e zhvillimit për liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe plazhin e Velipojës do të dalin problematikat e ndryshme të infrastrukturës, shërbimit turistik apo produktit turistik të cilat për t’u përmirësuar do mbështeten nga fondi prej 70 milion euro përmes financimit të BERZH dhe që do lëvrohen nga Fondit Shqiptar i Zhvillimit.