Një agjent policor ka çuar në kurth 5 të arrestuarit e operacionit “Prekalori” duke iu ofruar atyre një pazar për 205 kilogram drogë. Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për tre nga 5 të arrestuarit në operacionin “Prekalori” në Shkodër ku policia sekuestroi 205 kilogram drogë. Shtetasit Zef Kola, Kristjan Melaj dhe Genc Meçaj u lanën me masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa Elvis Hysaj dhe Xhusepe Melaj u lanën me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke u liruar.

Policia dhe prokuroria në bazë të përgjimeve dhe provave të tjera që kanë dyshojnë se këta shtetas kanë qenë të gatshëm që të shesin sasinë prej 205 kilogram lëndë narkotike pa e ditur se blerësi është një agjent policor. Nga ana tjetër avokatët mbrojtës të të dyshuarve pretendojnë të kundërtën se droga ka qenë e agjentit policor dhe se ky i fundit ia ka ofruar atyre për t’ia shitur.

Në seancën e drejtuar nga gjyqtarja Irida Kacerja avokatët mbrojtës të 5 shtetasve nuk kanë pranuar akuzat ndaj tyre duke mohuar se kanë lidhje me drogën e gjetur nga policia në furgon. Sipas avokatëve mbrojtës përgjimi që i është bërë 5 shtetasve të arrestuar është i paligjshëm. Prej disa kohësh 5 të dyshuarit, 3 prej të cilëvë mbetën në burg kanë qenë duke u përgjuar nga policia deri në momentin e finalizimit të opearcionit “Prekalori”.

Avokatët pretendojnë se ky përgjim është i paligjshëm. Zef Kola, 53 vjeç nga Malësia e Madhe i cili ka qenë i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh dhe i cilësuar si kryetar i këtij grupi përmes avokatit të tij ka mohuar akuzat. Vetë 53 vjeçari nuk ka folur në sallën e gjyqit ndërsa avokatit Xhelal Bajraktari është shprehur se shtetasi Zef Kola thjeshtë i ka dhënë makinën e tij shtetasit Genc Meçaj ndërsa të dy të dyshuarit e kanë pranuar shkëmbimin e makinës.

Në këtë mënyrë avokati ka kërkuar një masë lehtësuese duke qenë se pretendon se Zef Kola s’ka patur asnjë lidhje në këtë mes dhe vetëm ka dhënë makinën e tij. Edhe për shtetasin Genc Meçaj, i cilësuar nga policia si bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të këtij grupi, avokati mbrojtës i tij Ndrek Ruka ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se përgjimi i bërë është i paligjshëm pasi është i nxitur nga vetë policia duke stimuluar të dyshuarit që të shkojnë në krim dhe për rrjedhojë ka kërkuar një masë më lehtësuese.

Edhe për Kristjan Melaj avokati i tij mbrojtës Anton Kosteri ka hedhur poshtë akuzat duke kërkuar një masë lehtësuese dhe duke pretenduar se ky shtetas nuk ka patur dijeni lidhur me shit-blerjen e drogës. Për dy të tjerët, Elvis Hysaj dhe Xhusepe Melaj gjykata u bind se s’janë pjesë e grupit duke i lënë të lirë me masën lehtësuese “detyrim paraqitje”.

Policia përveç të arrestuarve dhe sekuestrimi të drogës, sekuestroi edhe 5 mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për transport të drogës dhe 4 telefona celular. Ky grup sipas policisë ka lidhje me organizimin, financimin dhe transportimin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Malësia e Madhe drejt Malit të Zi. Arrestimet u kryen nga Forcat Operacionale të Posaçme të Policisë nga Tirana.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHIROKË, DEGRADOHET PLAZHI PUBLIK
Artikulli tjetërLEZHË, ARRESTOHEN 2 PERSONA TË SHPALLUR NË KËRKIM