Kryeministri Edi Rama u prit me një protestë në hyrje të qytetit të Shkodrës nga banorët e përmbytur të zonave të NënShkodrës. Forcat e policisë ishin prezent që në mëngjes duke mos lejuar grumbullimin e protestuesve.

Kjo bëri që numri i tyre të mos jetë shumë i madh. Bilal Dani është një banor nga njësia Bërdicë që ka 350 hektar tokë të përmbytura i cili tregon se qeveria nuk ka dhënë asnjë mbështetje për fermerët që kanë tokat nën ujë.

Aleksandër Pashuku ëstë një tjetër banor nga Bërdica i cili thotë se ka një varrezë makinash që e ka mbuluar uji dhe dëmi ekonomik aty është shumë i madh.

Ndërkohë në shenjë simbolike protestuesit vendosën disa banderole në një varkë që ndodhej afër Bexhistenit, zonë edhe ajo e përmbytur këto ditë. Në banderola shkruhej “Dy muaj në ujë, asnjë ndihmë”, “Boll me Shoë, ndihmo familjet e përmbytura apo edhe “Shkodra është Shqipëri” të adresuara për kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.