Në orët e mesditës në Shkodër është qëlluar me armë zjarri ndaj një person i cili ndodhej në mjetin e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50 bën të ditur policia vendore e Shkodrës, në afëri të një pike karburanti në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër. Sipas njoftimit të policisë së Shkodrës, është qëlluar në drejtim të mjetit ku ndodhej shtetasi me inicialet T.P, 30 vjeç banues në lagjen “Skenderbeg”.

Nga të shtënat raportohet se nuk ka persona të plagosur. Menjëherë pas të shtënave të dy mjetet, autorët që kanë qëlluar por edhe 30 vjeçari ndaj të cilit u qëllua janë larguar nga vendi i ngjarjes duke mos qëndruar aty.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë së Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë duke u vënë në ndjekie të autorëve. Sipas burimeve në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja plumbash të cilat janë sekuestruar si provë materiale.

Po ashtu efektivët kanë sekuestruar edhe pamjet e sigurisë të subjekteve aty afër ku ndodhën të shtënat me armë zjarri. Ndërkohë po merren në pyetje edhe dëshmitarë që kanë qëne aty ku ka ndodhur ngjarja. Nga sa mësohet shtetasi me inicialet T.P në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017” është ndaluar si person i shpallur në kërkim.

Në 12 tetor të 2017 policia e Shkodrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka realizuar me sukses operacioni për kapjen e 30 vjeçarit. I riu në atë kohë dyshohej për veprën penale “Plagosje e Rëndë me dashje” ndërsa ndaj tij në atë kohë u dha masa e sigurimit “Arrest ne burg” për ngjarjen e datës 25 qershor 2017 në lagjen

”Bacallek ”Shkodër, ku gjatë një konflikti të çastit ka plagosur me armë zjarri shtetasin me inicialet R. Th, 22 vjeç, banues në Shkodër. 30 vjeçari me inicialet T.P ka dalë nga burgu ndërsa ndaj tij dyshohet se është qëlluar me armë zjarri. Policia po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të ndodhur në Shkodër.

Artikulli paraprakTË SHTËNAT ME ARMË NË SHKODËR, POLICIA JEP DETAJE
Artikulli tjetërSHKODËR, PËRGJYSMOHET SIPËRFAQJA E TOKAVE TË PËRMBYTURA