Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e datës 12 shkurt teksa disa shtetas u përfshinë në një konflikt duke patur edhe të shtëna me armë. Kështu policia ka identifikuar personat e përfshirë në këtë ngjarje të ndodhur në mes të qytetit në lagjen “Parrucë” por edhe është gjetur arma me të cilën është qëlluar. Policia vendore e Shkodrës ka shpallur në kërkim këta shtetas që janë Hygert Muçaj 24 vjeç banues në Shkodër dhe Gledis Ustabeqiri 26 vjeç po ashtu banues në Shkodër.

Ndërkohë arma me të cilën është qëlluar, tip pistoletë është gjetur nga polumbarët në lumin Buna. Ka qenë njësia polumbare e repartit RENEA që pas kërkimeve në lumin Buna ku dyshohej se autorët kanë hedhur armën kanë bërë kërkime dhe kanë arritur që ta gjejnë pistoletën. Shtetasit Hygert Muçaj dhe Gledis Ustabeqiri që janë shpallur në kërkim sipas policisë së Shkodrës një ditë më parë me 12 shkurt rreth orës 13:50 janë konfliktuar me shtetasin Taulant Ahmeti që ndodhej aty.

Sipas burimeve policore 32 vjeçari Taulant Ahmeti dyshohet se ka ngacmuar një vajzë që ndodhej në rrugë dhe më pas menjëherë dy shtetasit e tjerë që ishin afër me makinën e tyre tip benz kanë zbritur dhe janë konfliktuar. Sipas policisë shtetasi Hygert Muçaj e ka goditur me sende të forta Taulant Ahmetin në kokë duke i shkaktuar dëme të lehta por 32 vjeçari ka rezistuar ndaj asaj goditjeje. Më pas shtetasi tjetër Gledis Ustabeqiri i cili kishte armën tip pistoletë sipas policisë ka qëlluar në ajër dhe më pas të tre këta persona të përfshirë në këtë konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Dy të shpallurit në kërkim Gledis Ustabeqiri dhe Hygert Muçaj kanë mbi super dyshimet për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Policia e Shkodrës në vendngjarje ka sekuestruar edhe gëzhojën e plumbit me të cilin u qëllua. Efektivët po punojnë për gjetjen dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje ndërsa shtetasi tjetër Taulant Ahmeti është shoqëruar në komisariat dhe pasi ka dhënë sqarimet e tij është lënë i lirë nga policia.