Teatri “Migjeni” i Shkodrës në 70-vjetorin e krijimit të trupës profesioniste është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta duke u bërë kështu teatri i parë në Shqipëri që merr këtë nderim. Ky titull iu dorëzua drejtores aktuale të teatrit “Migjeni” Rita Gjeka për kontributin e madh të dhjetra e dhjetra brezave artistësh të cilët shumë shpejt u kthyen edhe në emrat më të mëdhenj të artit shqiptar.

Përveç teatrit që u vlerësua me “Nderi i Kombit” një sërë figurash në këtë 70-vjetor u vlerësuan me disa tituj nga Presidenti. Titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” e morën dramaturgu Fadil Kraja, regjisori Serafin Fanko pas vdekjes, aktorit Lec Bushati pas vdekjes, aktorit Ndrek Prela pas vdekjes, aktorit Viktor Bruçeti pas vdekjes.

Aktori i ardhur nga Amerika Ymer Bala mori titullin “Mjeshtër i Madh” ndërsa titullin “Mjeshtër i Madh” e morën edhe regjisori Fatbardh Smaja pas vdekjes, aktorja Vitore Nino pas vdekjes, regjisorit Arjan Çuliqi, aktores Jolanda Shala pas vdekjes, aktores Drande Xhai dhe këngëtarit Bashkim Alibali. Gjatë kësaj ceremonie pati një ndërprerje të energjisë elektrike për disa minuta.

Në fund u shfaq edhe një dokumentar i realizuar nga regjisori Arjan Çuliqi që nga trupa e parë profesioniste e teatrit “Migjeni” për të vijuar deri në ditët e sotme me pjesë teatrore të pafundme dhe emra të shquar të artit shqiptar.

Një moment emocionues ishte dalja në skenë e aktorëve mes të cilëve edhe artistëve të mirënjohur si Besnik Çinari, Zef Deda, Zyliha Miloti, Roza Anagnosti dhe deri tek diva Tinka Kurti e cila ngriti sallën në këmbë. Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” e nisi rrugëtimin e saj në vitin 1949 me regjisorin e parë Andrea Skanjeti për të vijuar me një kastë të mrekullueshme aktorësh.

Artikulli paraprakINSTITUTI I GJEOSHKENCËS: SHKODRA RREZIKOHET NGA PËRMBYTJET
Artikulli tjetërSHKODËR, SHIU I DENDUR MBUSH RRUGËT