Kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës Xhevdet Amuli, disa anëtarë të kryesisë së PD dhe afro 10 qytetarë të thjeshtë, simpatizantë të PD janë thirrur pak ditë më parë në prokurorinë e rrethit gjyqësor në Shkodër lidhur me ngjarjet e ndodhur përpara votimeve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Në shkollën “Shejnaza Juka” disa prej materialeve zgjedhore të vendosura aty u dogjën pas një proteste të zhvilluar duke qenë se asokohe PD nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 dhe në këtë mënyrë tentoi që të mos lejonte zhvillimin e atyre zgjedhjeve vetëm me pjesëmarrjen e PS dhe aleatëve të saj. Pas asaj proteste ku u dogjën materialet zgjedhore policia arrestoi disa persona mes të cilëve edhe eksponentë politik dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë disa të tjerë.

Kjo dosje edhe pse ka prej më shumë se një viti e gjysëm në prokurorinë e Shkodrës mesa duket nuk është mbyllur ende edhe pse tashmë të gjithë ata që u arrestuan ato ditë janë liruar por dosja ka mbetur ende e hapur. Fakti që jemi në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare tashmë të 25 prillit ka sjellë dyshime të forta për PD dhe kryetarin e kësaj force politike në Shkodër se thirrja në prokurori e para pak ditëve lidhet pikërisht me zgjedhjet që kemi përpara.

Demokratët pretendojnë se kjo është një formë presioni për të ndalur PD-në dhe eksponentët e saj në fushatën zgjedhore përmes kësaj dosje që nuk është mbyllur ende. Kreu i PD Shkodër Amuli në deklarimin e dhënë në prokurori ka deklaruar se ajo protestë në shkollën “Shejnaze Juka” dhe djegia e materialeve zgjedhore nuk kanë qenë një organizim i PD Shkodër por një irritim i qytetarëve të thjeshtë që kanë bërë ato veprime.

Kryedemokrati i Shkodrës ka deklaruar gjithashtu në prokurori se çdo herë kur PD Shkodër ka patur protesta apo organizime të tjera është njoftuar përmes deklaratave zyrtare për shtyp ndërsa në atë rast nuk ka patur një deklaratë të tillë. Madje drejtuesit dhe eksponentët e tjerë të PD Shkodër kanë deklaruar se ata janë munduar që të qetësojnë

turmën e irrituar dhe për të ndalur çdo veprim të dhunshëm si dhe për të mos lejuar dëmtimin e shkollës “Shejnaze Juka” apo edhe për të ndaluar djegien e materialeve zgjedhore. Tashmë është e paqartë se deri kur do të zgjatet ajo dosje nga ana e prokurorisë për kryetarin e PD, anëtarët e kryesisë dhe 10 qytetarë.

Artikulli paraprakSHKODRA PËRFSHIHET NGA RESHJET E BORËS
Artikulli tjetërLIVADE: FËMIJËT NUK MUND TË SHKOJNË NË SHKOLLË