Me një mesazh të fortë për shoqërinë shqiptare dhe situatën politike e social-ekonomike në të cilën ndodhemi u përmbyll shfaqja e 6-të dhe e fundit e nismës së teatrit “Migjeni” e quajtur Koliqiana ku në këto 6 shfaqje erdhën tregimet e Ernest Koliqit, një autor ende i pastudiuar mirë edhe pse një kolos i letrave shqipe.

Tregimi i njohur “Tregtar Flamujsh” i Ernest Koliqit, përmbylli shfaqjen e 6-të në oborrin e teatrit “Migjeni” duke goditur tek spektatorët e pranishëm përmes tekstit të fortë të afro 90 viteve më parë por që është më aktual se kurrë.

Aktorët dhe regjisori Jozef Shiroka që po ashtu ishte edhe aktor në këtë pjesë shprehen se nuk ishte aspak e lehtë për të dramatizuar në skenë tregimin “Tregtar Flamujsh” të Koliqit.
Tregimi “Tregtar Flamujsh” i Koliqit është tejet aktual shprehen aktorët dhe drejtorja e teatrit “Migjeni” duke thënë se është një pjesë e cila duhet të bëjë të reflektojë shoqërinë shqiptare.

“Tregtar flamujsh” është një përmbledhje me gjashtëmbëdhjetë novela prej shkrimtarit Ernest Koliqi botuar për herë të parë më 1935 në Tiranë në shtypshkronjën “Nikaj”.

Në këtë vepër autori sjell tregtarin që shet dhe blen, pra kthen në mall edhe vetë simbolin e vendit të tij, flamurin. Në të dy tregimet, nxirret në pah kontrasti mes intelektualit idealist dhe hipokrizist i tregtarëve materialistë që ishin produkt i kohës, një tregim që vlen edhe për ditët e sotme për pozicionin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare.

Gjashtë shfaqjet e Koliqianës u vendosën në oborre shkodrane të shpëtive karakteristike që i kanë rezistuar ende kohës.