
Besimtarët katolik në Shkodër kanë zhvilluar ritualin e Udhës së Kryqit duke u ngjitur në malin e Taraboshit. Ky rrugëtim simbolik vjen një në kohë krezhmesh dhe në prag të festës së shenjtë të Pashkës. Me lutje dhe këngë besimtarët përkujtuan mundimet e Jezusit në 14 ndalesat e Udhës së Kryqit. Lutja e Udhës së Kryqit nisi nga fshati i Paqes me fjalën e Arqipeshkvit Metropolitan të Shkodër-Pult Angelo Massafra, i cili theksoi se lutjet këtë vit janë edhe për luftën në Ukrainë.
Ndryshe nga vitet e tjera meditimet ishin shkruar nga të rinjtë e famullisë “Zoja e Shkodrës” duke u bazuar në përjetimet personale. Për besimtarët, lutjet në malin e Taraboshit i japin forcë për të përballuar vështirësitë e kësaj jete.
Që prej vitit 1998 Udha e Kryqit është një ritual i cili zhvillohet në malin e Taraboshit çdo vit nga besimtarët katolik në Shkodër para kremtimit të festës së Pashkës, festë e cila shënon ringjalljen e Jezusit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen.