Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përmes Qendrës së Studimeve Albanologjike brenda këtij universiteti ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, institucion pranë Ministrisë së Diasporës.

Rektorja e universitetit të Shkodrës Suzana Golemi dhe drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët Diana Kastrati u shprehën se qëllimi i kësaj marrëveshje është nxitja e bashkëpunimit për kërkime shkencore, historike dhe kulturore të përbashkëta për komunitetin arbëresh.

Anëtari i Qendrës së Studimeve Albanologjike në universitetin e Shkodrës Alfred Çapaliku, njëkohësh edhe pedagog bëri një vështrim hsitorik e kulturor të lidhjeve mes figurave si Luigj Gurakuqi e Kolë Kamsi si nxënës të italo-arbëreshit Jeronim De Rada.

Kryetarja e Qendrës së Studimeve Albanologjike në universitetin e Shkodrës Zamira Shkreli dhe anëtari i Qendrës për Arbëreshët Bashkim Gjergji u shprehën se ky bashkëpunim do të vijojë në të ardhmen.

Në fund u firmos edhe marrëveshja mes dy palëve ndërsa Qendra e Studimeve për Arbëreshët dhuroi disa botime të fundit për universitetin “Luigj Gurakuqi” të cilët gjithashtu dhuruan disa botime të tyret për këtë Qendrën për Arbëreshët.