Një prej qarqeve më të prekura nga COVID-19 do të bëhet pjesë e fushatës së vaksinimit në fund të muajit janar, por akoma nuk ka një njoftim zyrtar në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë I gjithë ky proces në të gjithë qarkun. Star Plus kontaktoi përmes telefonit me drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër të cilët konfirmojnë se akoma nuk është hartuar një plan për shtrirjen e kësaj fushate në të kryeqendër të veriut.

Ndërsa nga ana tjetër bëhet e ditur se nuk mungon personeli I epidemiologëve dhe specialistëve të tjerë të shëndetësisë të cilët do të jenë të gatshëm për vaksinimin e banorëve të qarkut Shkodër. Të parët që do të vaksinohen janë mjekët dhe infermierët e më pas të moshuarit.

Ndërkohë që vaksinimi në dy fazat e tij do të ofrohet falas për të gjithë. Doza e dytë e vaksinës mund të merret 21 ditë pas dozës së parë. Shkodra është një prej qarqeve më të prekura nga COVID-19, por pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve çdo ditë, vihet re një mungesë e ndërgjegjësimit të qytetarëve sa I takon respektimit të masave antiCOVID.

Shumica prej tyre nuk mbajnë të vendosur maskën ndërsa nga ana tjetër në institucione nuk respektohet distanca deri në 1m e gjysëm mes dy personave duke bërë që situata të përkeqësohet vazhdimisht. Ndërsa besohet se vaksinimi I popullsisë I cili është falas dhe jo I detyrueshëm do t’I japë fund përballjes me virusin COVID-19.