Ky është mjeti në të cilin ndodheshin dy të rinj 23 dhe 16 vjeçe që humbën jetën në një aksident tragjik në rrugën Shkodër Velipojë. Shtetasi Amarildo Preka 23 vjeç dhe Driona Pirani 16 vjeç u përplasën në kthesën e fshatit Reç i Ri teksa po vinin nga Velipoja drejt Shkodrës. Si shkak i shpejtësisë mbi normat e lejuara mjeti tip BMË në të cilin ndodheshin dy të rinjtë përfundoi në disa mure rrethuese në fund të rrugës duke bërë që 23 vjeçari dhe 16 vjeçarja të gjejnë vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

Menjeherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e qendrës shëndetësore të Velipojës por ka qenë e pamundur për t’i shpëtuar sepse dy të rinjtë janë gjetur të pajetë. Policia Vendore e Shkodrës bën të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:45 në vendin e quajtur “Mbi Sukë” në rrugën Shkodër-Velipojë dhe si rezultat i shpejtësisë në kthesë mjeti tip BMW ka dalë nga rruga duke u përplasur me një mur dhe si pasojë kanë humbur jetën, drejtuesi i mjetit, shtetasi Amarildo Preka 23 vjeç banues në fshatin Mali i Jushit dhe pasagjerja shtetasja Driona Pirani 16 vjeçe banuese në lagjen Perash në Shkodër thotë policia në njoftimin e saj.

Nga sa mësohet dy të rinjtë kanë qenë në një festë në plazhin e Velipojës dhe në orët e para të mëngjesit kanë marrë rrugën për në Shkodër por kanë përfunduar me këtë aksident tragjik ku humbën jetën. Amarildo Preka mësohet se jetonte jashtë Shqipërisë dhe kishte ardhur këto ditë për pushime por ëndrrat e jetës për të riun dhe 16 vjeçaren u ndërprenë në mes nga ky aksident.

Nga hetimet paraprake të grupit të ekspertizës mendohet se ky aksident ka ardhur si shkak i shpejtësisë me të cilin po lëvizte mjeti tip BMË duke mos arritur që të frenojë ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Aksidentet qoftë në aksin Shkodër-Velipojë por edhe në akse të tjera tashmë vijojnë që të jenë një shqetësim kryesor për policinë vendore të Shkodrës kryesisht gjatë sezonit të verës kur numri i mjeteve është shumë më i madh. Policia ka shtuar kontrollet në shumë rrugë dhe po ashtu edhe numrin e gjobave por sërish drejtuesit e mjeteve vijojnë të jenë të pandërgjegjshëm.

Artikulli paraprakNGA SOT UDHËTIMET ME ITALINË ME RREGULLAT TË REJA, MINISTRIA E JASHTME PUBLIKON PROTOKOLLIN, KATEGORITË E PASAGJERËVE QË PËRJASHTOHEN NGA KARANTINA
Artikulli tjetërSHKODËR, HAPET PANAIRI PROMOVUES I NJËSIVE ADMINISTRATIVE