Rikonstruksioni i rrugës “Kalaja e Dalmacës” në lagjen nr. 5 të qytetit apo siç njihet “Hardhijat e egra” po ecën sipas ritmeve të parashikuara. Investimi nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër ishte i domosdoshëm, në një zonë ku kanë munguar sherbimet.

Sipas buxhetit të vitit 2021, fondi i akorduar është 6.1 milion dhe do të mundësojë ndërtimin e kanalizimeve të ujrave të bardha- KUB, kanalizimin e ujrave të zeza- KUZ, instalimet për ndriçimin rrugor, sipërfaqen asfaltike dhe sinjalistikën e duhur.

Rruga, me një gjatësi 350 metër linear, është investimi i radhës në këtë lagje të qytetit, i cili do të pasohet edhe me investime të tjera, duke nisur nga rruga ngjitur me “Kalaja e Dalmacës”.

Përfundimi i projektit sjell një përmirësim të dukshëm sa i takon lëvizshmërisë së mjeteve motorike dhe këmbësorëve por edhe mundëson përfitimin e shumë sherbimeve që kanë munguar në këtë zonë, e cila i është bashkuar qytetit pas vitit 1990.