Festivali i Filmit për Fëmijë “Anifest Rozafa 2020” ka zhvilluar edicionin e tij të 11-të. Këtë radhë organizatorët kanë zgjedhur plazhin e Velipojës për të zhvilluar festivalin e filmit të animuar për shkak të hapësirave të mëdha.

Ndryshe nga më përpara këtë radhë ky aktivitet është zhvilluar në natyrë të hapur për shkak të COVID-19 duke respektuar distancën sociale si dhe duke mbajtur maskat mbrojtëse ndërsa fëmijët dhe të pranishmit e tjerë kanë shijuar filmat e animuar.

Përveç filmave të animuar të shfaqur në ekran, këngëtaret Klodiana Vata dhe Ketlin Pjalmi që kishin edhe rolin e prezantueseve ndezën atmosferën me disa këngë.

Festivali i filmit për fëmijë “Anifest Rozafa” është një aktivitet i përvitshëm i cili tashmë po kthehet në një traditë të bukur për Shkodrës duke sjellë filmat më të mirë të animuar nga e gjitha bota por shpesh herë edhe filma shqiptar duke nxitur të rinjtë por jo vetëm në kreativitetin e tyre.

Vitet e kaluara “Anifest Rozafa” është zhvilluar për disa ditë me radhë duke patur edhe çmime por këtë vit për shkak të COVID-19 aktivitetet kanë qenë më të reduktuara. “Star Plus” televizion është partner me këtë aktivitet të rëndësishëm.