Klubi Vllaznia ka parashikuar rreth 1 miliard lekë të vjetër të ardhura për vitin 2019 dhe synon që vitin e ardhshëm përveç daljes në Superligë, të qëndrojë në Kategorinë Superiore dhe madje të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Këto janë synimet që ka paraqitur vetë klubi Vllaznia për 2019-ën.

Me 29 mars do të jetë mbledhja e Asamblesë të Vllaznia sh.a për të miratuar qoftë buxhetin e dhënë nga bashkia Shkodër për 2019-ën por edhe planin total të të ardhurave. Në këtë mënyrë sipas relacionit të paraqitur nga vetë klubi Vllaznia plani i të ardhurave shkon në rreth 1 miliard lekë të vjetër. Kështu sipas ndarjes përkatëse

450 milion lekë të vjetër janë buxheti që ka dhënë bashkia Shkodër të miratuara nga këshilli bashkiak, 118 milion lekë të vjetër janë të ardhura të tjera që priten nga bashkia Shkodër, 30 milion lekë të vjetër vijnë nëse Vllaznia shpallet fituese në Kategorinë e Parë,

37 milion nga e drejta televizive që jep Federata Shqiptare e Futbollit, 92 milion lekë nga reklamat dhe sponsorët, 10 milion lekë të vjetër nga shitja e biletave, 60 milion lekë nga akademia, 62 milion lekë të vjetër nga fondi i solidaritetit nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Shifra më interesante e të ardhurave që ka planifikuar klubi Vllaznia është ajo nga shitja e lojtarëve gjatë 2019-ës. Klubi Vllaznia pret që të grumbullojë në total 145 milion lekë të vjetër nga shitja e futbollistëve, një shifër që kjo që në pamje të parë duket relativisht e lartë duke qenë se klubi synon të mbajë pjesën më të madhe të lojtarëve.

Nga të ardhurat e planifikuara në 1 miliard lekë të vjetër klubi Vllaznia bën të ditur se afro 500 milion lekë të vjetër shkojnë paga për lojtarë dhe trajnerë duke qenë edhe shpenzimi më i madh i klubit.

Gjithashtu në relacionin përkatës klubi Vllaznia i bën të ditur asamblesë që është praktikisht këshilli bashkiak i Shkodrës se pagat e lojtarëve dhe stafit janë të larta por në krahasim me tregun janë nën nivelin mesatar në krahasim me klubet e tjera që administrohen nga privatët.

Artikulli paraprakSHKODËR, AMULI: PROTESTAT NUK DO TË NDALEN
Artikulli tjetërSHKODËR, ZHVILLOHET KUPA NË NDER TË YMER STRINIQIT