Shtetasi Arsen Stojku, i dyshuar si autor i vrasjes së vëllezërve Bilali në Shkodër sipas avokatit mbrojtës Artan Gjuzi është duke u mbajtur pa të drejtë në paraburgim. Sipas palës mbrojtëse ndaj të dyshuarit Stojku kanë përfunduar prej dy muajsh afatet e paraburgimit dhe duhej të ishte liruar por Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka rrëzuar këtë kërkesë të avokatit që e cilëson një vendim të padrejtë.

Avokati Gjuzi shprehet se përveç ankimit në Gjykatën e Apelit në Shkodër do vijojë ankesat për çështjen Stojkut në instancat më të larta të drejtësisë dhe më gjërë.

Sipas avokatit mbrojtës ndaj Arsen Stojkut deri më tani nuk ka asnjë provë që mund ta implikojë atë si autor të vrasjes së vëllezërve Bilali.

Më 30 mars të 2019-ës mbetën të vrarë vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali në një atentat pranë shtëpisë së tyre në lagjen Kiras. Ndërkohë një muaj më pas policia vendore e Shkodrës arrestoi shtetasin Arsen Stojku si autorin e dyshuar të kësaj ngjarje i cili prej më shumë se dy vitesh vijon të jetë në paraburgim gjë për të cilën pala mbrojtëse nuk është dakord me pretendimin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit.