Po pinte kafen e mëngjesit ashtu si çdo ditë në lokalin e lagjes në Shkodër kur papritur një automjet u afrua dhe qëlloi me automatik kallashnikov duke lënë të vdekur në vend shtetasin Nazmi Bandula. Vrasja e 55 vjeçarit ndodhi në orën 8:15 të mëngjesit raporton policia vendore e Shkodrës. Viktima ndodhej bashkë me një person tjetër kur një mjet tip Benz E-clas, ngjyrë grih është afruar dhe autorët nga brenda makinës kanë qëlluar me brëshëri plumbash duke i marrë jetën Nazmi Bandulës.

55 vjeçari sipas burimeve ka tentuar që të futet brenda lokalit kur është qëlluar por e ka patur të pamundur. Menjëherë pas ngjarjes autorët janë larguar në drejtim të paditur me makinë. Në lokalin ku ndodhi vrasja mbërritën forca të shumta policie duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër.

Grupi hetimor deri më tani nuk ka arritur që të identifikojë autorët e vrasjes së shtetasit Nazmi Bandula ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tyre. Personat që qëlluan janë treguar të kujdesshëm duke mos lënë as gëzhojat e plumbave në vendngjarje. Dyshohet se arma me të cilën kanë qëlluar ka qenë brenda në qese. Grupi hetimor nuk ka gjetur asnjë gëzhojë duke mos patur kështu prova materiale.

Efektivët e Shkodrës kanë arritur që të marrin pamjet e sigurisë të disa subjekteve aty të momentit të vrasjes por edhe lëvizjes së mjetit në unazën perëndimore të Shkodrës nga ku u larguan autorët. Shtetasi Nazmi Bandula në vitin 2020 i është vënë tritol në automjetin e tij por asokohe ka patur vetëm dëme materiale sepse makina ndodhej e parkuar në oborrin e shtëpisë dhe nuk ishte askush brenda saj. Po ashtu në vitin 2012 viktima është arrestuar pas një konfilkti me vëllanë e tij për çështje pronësie por është liruar. Janë ende të paqarta arsyet e kësaj vrasjeje të 55 vjeçarit ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, 70 FËMIJË NË SITUATË RRUGE
Artikulli tjetërMALËSI E MADHE, HISTORIA E MUSLIMANIT QË RUAN KISHËN