Ndryshime në spitalin rajonal të Shkodrës. Ardian Dajti nuk do të jetë më drejtor i këtij spitali. Në vend të tij është emëruar nga ministria e shëndetësisë Xheni Halili e cila deri më tani ishte drejtore e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor. Kirurgu Dajti qëndroi për afro 2 vite e gjysëm në krye të spitalit rajonal të Shkodrës që nga prilli i vitit 2019 post që tashmë do e ketë Xheni Halili. Është ende e paqartë se kush do jetë në vend të Xheni Halilit në drejtorinë vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër.

Fillimisht pritet të jetë i komanduar drejtuesi i ri deri sa të bëhet konkursi për atë pozicion. Ndërkohë një ndryshim pritet edhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Shkodër teksa pritet largimi i drejtorit aktual Erdet Behari dhe aty pritet të emërohet Gjergj Sokoli i cili është pjesë e PSD dhe anëtar në këshillin bashkiak të Shkodrës. Këto ndryshime në dy drejtorite pritet të zyrtarizohen ditën e hëne të javës së ardhshme por tashmë janë lëvizje të konfirmuara.

Ndërkohë në ditët në vazhdim priten ndryshime edhe në drejtori të tjera rajonale në Shkodër në radhët e PS. Sipas burimeve janë 4-5 drejtori që mund të kenë emra të tjerë në ditët në vijim. Kështu pritet që të ndryshojë drejtori rajonal i tatimeve Sidrit Istrefi, po ashtu pritet të ndryshojë drejtori i transportit rrugor Arlind Sylja, drejtorja e zyrës vendore të arsimit Sindis Kopliku apo edhe drejtorja rajonale e kulturës kombëtare në Shkodër Majlinda Laçej.

Nuk përjashtohet që të ketë ndryshime edhe në drejtori të tjera të rëndësishme në radhët e drejtorëve rajonal të PS. Ndërkohë emërimet e reja në drejtoritë rajonale do të jenë një luftë mes deputetëve të PS të qarkut Shkodër por edhe forcave të tjera politike.