
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka raportuar disa ngjarje të ndodhura gjatë orëve të fundit, që përfshijnë aksidente rrugore dhe raste dhune në familje.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin L. T., 20 vjeç, banues në fshatin Shëlqet, pasi në aksin “Kryebushat–Vau i Dejës”, duke drejtuar automjetin e tij, i ka ndërprerë rrugën një motomjeti. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë drejtuesi i motomjetit, 62 vjeç, si dhe pasagjerja 59 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Malësinë e Madhe ndaluan një 30-vjeçar në Koplik, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj babait të tij. Po ashtu, nisi procedimi penal për një 37-vjeçar nga fshati Bogë, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes.
Një tjetër aksident është regjistruar rreth orës 09:55 në rrugën “Pogej”, ku një motomjet i paidentifikuar ka përplasur një këmbësor rreth 50 vjeç. I dëmtuari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa drejtuesi i motomjetit është larguar nga vendngjarja.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.






