Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka referuar një sërë rastesh në Prokurori, ku kanë nisur procedime penale për disa shtetas, për vepra të ndryshme penale të evidentuara në territorin e qarkut.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasit A. Sh., 76 vjeç, dhe një 17-vjeçari, pasi janë konstatuar në fshatin Kuç duke kryer gjueti të paligjshme me armë gjahu, të cilat i moshuari i posedonte me leje. Gjithashtu, është proceduar shtetasi F. P., 66 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi pa leje në pronë publike.
Po ashtu, janë proceduar penalisht edhe dy shtetas të mitur, 16 dhe 17 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kanosur njëri-tjetrin nëpërmjet celularit, për motive të dobëta.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasin Rr. M., 68 vjeç, banues në fshatin Selcë, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj bashkëshortes së djalit.
Nga ana tjetër, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet për vlerësim, pas një aksidenti të ndodhur në lagjen “Vojo Kushi”, ku një 17-vjeçare që lëvizte me monopatinë, së bashku me një 20-vjeçare, ka humbur kontrollin, duke bërë që të dyja të rrëzohen. Ato kanë marrë ndihmë mjekësore në spital dhe më pas janë larguar në banesë.
Një tjetër rast është regjistruar në fshatin Tuç, në Malësi të Madhe, ku dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore, duke shkaktuar djegien e rreth dy dynymëve tokë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakGAZETARIA DIGJITALE DHE INOVACIONI NË MEDIA
Artikulli tjetërGJYSËMFINALJA E KONKURSIT TË ZËRAVE “BILBILAT”