Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka dhënë detaje të reja në lidhje me aksidentin e ndodhur në unazën perëndimore, ndërsa ka bërë me dije edhe disa raste të tjera procedimesh penale në qark.
Sipas policisë, në vijim të informacionit paraprak për aksidentin, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi F. L., 64 vjeç, i cili rezultoi se drejtonte automjetin në efektin e alkoolit. Si pasojë e përplasjes, u dëmtuan drejtuesi i automjetit tjetër, M. N., si dhe pasagjerja që udhëtonte me të. Të dy morën mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve nisën procedim në gjendje të lirë për shtetasen M. P., 39 vjeçe, pasi automjeti që ajo posedonte rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Po ashtu, një 67-vjeçar, shtetasi Gj. P., është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës dhe motrës së tij, të cilat janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Në një tjetër rast, specialistët e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe nisën procedim penal për shtetasin Q. C., 72 vjeç, i akuzuar për përvetësim të një sipërfaqeje toke në fshatin Kçar i Poshtëm, pas kallëzimit të një 51-vjeçari.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakTRAFIKU I EMIGRANTËVE NË SHKODËR, ARRESTOHET 27-VJEÇARI
Artikulli tjetërPARLAMENTI RURAL NË LEZHË DHE MIRDITË