
Policia e Shkodrës ka kryer arrestime dhe ka nisur procedime penale për disa shtetas, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve të kryera nga strukturat vendore.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin L. N., 42 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. S., 36 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Sipas policisë, automjeti që ai posedonte rezulton i vjedhur në Sllovaki dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër nisën procedim penal për shtetasit A. F., 48 vjeç, për kryerje të punimeve ndërtimore pa leje, si dhe O. H., 26 vjeç, për parkim të gabuar të automjetit në lagjen “Vasil Shanto”, duke penguar qarkullimin normal të mjeteve të tjera.
Nga ana tjetër, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori për shtetasin N. D., 68 vjeç, banues në fshatin Stajkë, i cili dyshohet se ka prerë 79 rrënjë fidanë ulliri, në pronësi të një shtetasi tjetër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






