
Strukturat e Policisë në Qarkun Shkodër kanë ndërmarrë një sërë veprimesh procedurale, duke ndaluar një shtetase të shpallur në kërkim dhe duke referuar disa raste në Prokurori për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan ndaluan shtetasen M. L., 58 vjeçe, e cila ishte në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e kishte dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin irakian I. Sh., 41 vjeç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, specialistët referuan materialet për shtetasin M. Sh., 62 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Mashtrimi”. Sipas kallëzimit të një 60-vjeçari, ai dyshohet se i ka marrë një shumë parash, duke e mashtruar me premtimin se do ta ndihmonte në një proces legalizimi.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor nisën procedim penal për dy shtetas, Sh. H., 52 vjeç, dhe H. Z., 68 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar motomjete pa leje drejtimi.
Procedim penal nisi edhe për K. M., 73 vjeç, i cili në fshatin Hoten, Vau i Dejës, duke drejtuar motomjetin në efektin e alkoolit, ka humbur kontrollin dhe është dëmtuar. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër nisën procedim penal për F. Ç., 75 vjeç, pasi është konfliktuar me vëllanë e tij për motive të dobëta.






