
Strukturat e Policisë në Shkodër kanë referuar disa raste në Prokurori, ku kanë nisur procedimet penale për shkelje të ndryshme të ligjit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare nisën procedimin penal ndaj shtetasit R. S., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet për çmontimin dhe shitjen e pjesëve të automjeteve, në fshatin Bërdicë, pa e regjistruar subjektin në organet tatimore. Gjatë kontrollit u sekuestruan 5 automjete të dyshuara të kontrabanduara nga Mbretëria e Bashkuar.
Po ashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për shtetasin H. Gj., 66 vjeç, banues në fshatin Kaç, i cili u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Ndërkohë, në Malësi të Madhe, një 69-vjeçare ka kallëzuar se gjatë mbrëmjes së djeshme i është vjedhur një shumë parash në banesën e saj në fshatin Polvar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.






