Strukturat e Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kanë ndërmarrë disa masa gjatë orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. V., 43 vjeç, banues në fshatin Baks, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për M. M., 77 vjeç, banues në Shkodër, dhe E. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Stajkë, pasi u kapën duke drejtuar motomjete pa leje drejtimi. Gjithashtu, u proceduan edhe dy të mitur, 17 dhe 16 vjeç, të cilët drejtonin motomjete pa leje dhe pa targa.
Në një tjetër rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë ndaluan shtetasin N. M., 51 vjeç, banues në fshatin Pulaj, i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Sipas Policisë, më 28 shkurt 2026, në fshatin Rrjoll, ai në bashkëpunim me persona të tjerë ka organizuar një protestë për të penguar punimet e një firme ndërtimi. Gjatë protestës janë goditur punonjës të një kompanie sigurie private, ku njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të rënda, si dhe janë dëmtuar makineri të firmës që po kryente punimet.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, duke nisur procedim në gjendje të lirë për B. Sh., 50 vjeç, dhe B. Sh., 21 vjeç, të dy banues në fshatin Koplik i Sipërm, pas kallëzimit të shtetasit N. I., 38 vjeç, banues në fshatin Palvar, për kanosje për motive të dobëta.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakRRJOLL,VETËDORËZOHEN NË POLICI 11 PROTESTUES
Artikulli tjetërLEZHA PËRKUJTON 582-VJETORIN E BESËLIDHJES