
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Muriqan”, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti ka dalë në anën tjetër të rrugës, ku është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. B. Nga aksidenti u dëmtua shtetasi M. H., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. D., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin E. D., 34 vjeç, më datë 26.02.2026, kanë trafikuar në Shqipëri, 2 mjete (ekskavatorë) të vjedhura në Itali. Mjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e 34-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. L., 38 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u zbulua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. Ç., 41 vjeç, banues në fshatin Kabash, pasi ka kallëzuar shtetasja A. L., 54 vjeçe, banuese në fshatin Kabash, se ai e ka fyer.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






