
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë ndaluan shtetasin N. N., 30 vjeç, banues në fshatin Gojan i Vogël, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të kryer 6 muaj burgim.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Velipojë–Shkodër”, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. L., banues në Shkodër, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. A., 40 vjeç, banues në Shkodër. Si pasojë u dëmtuan 3 pasagjere, të cilat morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar motomjet, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Theth shpallën në kërkim shtetasin K. Q., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje, në zonë të mbrojtur, në lumin e Shalës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kallëzuar shtetasja H. H., 63 vjeçe, banuese në Shkodër, se 42-vjeçari, përfaqësues i një banke, e ka mashtruar në lidhje me shlyerjen e një kredie që ajo ka marrë në këtë institucion financiar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






