Policia e Shkodrës ka ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të informacionit për aksidentin në aksin rrugor “Hani i Hotit–Vermosh”, specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin L. S., 38 vjeç, banues në fshatin Rapsh. Ai dyshohet se, duke mos respektuar distancën e sigurisë dhe për shkak të pamjes së kufizuar, ka përplasur një mjet bujqësor që drejtohej nga shtetasi P. P., 74 vjeç, banues në fshatin Kushë. Si pasojë e aksidentit, i moshuari ka mbetur i dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Shkodër.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori për një 16-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.
Në zonën e Velipojës, dy shtetase, T. P., 69 vjeçe dhe D. D., 68 vjeçe, kanë kallëzuar se dy persona, A. E., 76 vjeç dhe D. L., 67 vjeç, u kanë zaptuar një truall në fshatin Pulaj-Plazh. Rasti është referuar për hetime të mëtejshme.
Ndërkohë, në Malësi të Madhe janë nisur procedime penale për dy raste të ndryshme. Një 35-vjeçar akuzohet për zaptim toke në fshatin Omaraj, ndërsa një 51-vjeçar po hetohet për dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është paraqitur në polici dhe ka bërë kallëzim.
Gjithashtu, në Vau i Dejës janë proceduar penalisht dy shtetas, të moshës 59 dhe 63 vjeç, për kryerje të punimeve ndërtimore pa leje.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakZBARDHET PLAGOSJA ME ARMË ZJARRI NË KURBIN
Artikulli tjetërKAMPIONATI KOMBËTAR I GJIMNASTIKËS NË SHKODËR