
Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet dhe veprimet operative, duke finalizuar disa raste arrestimesh dhe procedimesh penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër arrestuan shtetasin M. S., 53 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, pavarësisht se ndaj tij ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje.
Nga ana tjetër, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin D. Gj., 54 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal ndaj shtetasit N. T., 25 vjeç, banues në Tiranë. Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan duke transportuar me automjet mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, në Spitalin Rajonal Shkodër, ka humbur jetën një 16-vjeçare. Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiorespirator, ndërsa grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






