
Një automjet është përfshirë nga flakët rreth orës 12:00 të kësaj të enjteje në parkingun e një pallati në rrugën “Dragushej” në Shkodër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
insert
Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa re të mëdha tymi mbuluan të gjithë zonën përreth. Për shkak të situatës së krijuar, disa banorë u detyruan të dalin nga banesat e tyre nga frika e përhapjes së zjarrit dhe tymit në pallat.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur neutralizimin e flakëve dhe vendosjen e situatës nën kontroll, duke shmangur përhapjen e zjarrit në automjete të tjera apo në godinë.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në një automjet të parkuar në pronësi të një shtetasi italian. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në rënien e zjarrit.






